Ulet numri i personave të shtruar në spitalet COVID, mjekët ngrejnë shqetësimin: Po vini me vonesë
Ministria e Shëndetësisë njoftoi ditën e sotme se në të gjithë vendin, në 24 orët e fundit janë shënuar 15 raste me koronavirus, duke e çuar numrin në total të të infektuarëve në 678.
Përveç uljes së rasteve, ajo që shihet qartë është edhe rënia e numrit të personave të shtruar në spitale.
Mësohet se, në Shërbimin infektiv aktualisht janë 30 të shtruar nga të cilët 4 pacientë janë në terapi intensive. Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 8 pacientë të shtruar. 4 pacientë janë në terapi intensive në gjendje të rënduar, ndërsa 4 pacientë janë në pavion. Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 38 pacientë.
Pra në 4 ditët e fundit kemi 101 raste të reja me COVID-19 por 1 ose 2 shtrime.
BW raporton se lidhur me këtë, mjekët ngrenë shqetësimin se ato pak raste që po vijnë, vijnë në stad të agravuar, ku mundësia e shërimit është e vogël. Mjekët shprehen se personat e infektuar po vijnë me të paktën 7 ditë në vonesë.
Mjekët imazheristë deklarojnë se nga skaneri që iu bëjmë të sëmurëve që vijnë në spital në ditët e fundit, shikohet se vijnë në stad të sëmundjes të avancuar me pneumoni bilaterale dhe komplikacione në disa organe të shkaktuara nga virusi.