Turistët mund të mos udhëtojnë dot pa çertifikatën “anti Covid-19”
Turistët së shpejti mund të kenë nevojë për çertifikata që dëshmojnë se nuk kanë koronavirus për të qënë në gjendje të udhëtojnë. Ky dokument shëndetësor, mund të bëhet i detyrueshëm për të gjithë pushuesit. Aktualisht Mbretëria e Bashkuar nuk lëshon dokumente të tilla, por plani për krijimin e tyre është i afërt.
Kjo masë është e nevojshme për të ndaluar rastet e importuara si dhe për të siguruar personelin e hoteleve apo resorteve ku njerëzit zgjedhin të pushojnë, nga rreziku i infektimit. Në shumë vende tashmë, udhëtarve po u bëhen teste në aeroport, ose u kërkohet një dokument nga doktori që vërteton se nuk janë të infektuar.
Këto masa mendohet të vazhdojnë edhe pas heqjes së bllokimit dhe nisjes së lëvizjes së lirë. Një tjetër alternativë që po merret në konsideratë, janë “Pasaportat e Imunitetit” të cilat vërtetojnë se personi përkatës ka qënë i infektuar nga Covid 19 por tashmë është imun. Sigurisht për krijimin e tyre, fillimisht shkencëtarët duhet të faktojnë imunitetin ndaj koronavirus.
Claire Standley, punonjëse e Sigurisë Globale të Shëndetit tha:
Në gamën e masave të sigurisë do të jetë edhe testimi i antitrupave, por jo vetëm. Mund të ketë teste të detyrueshme gjaku, çertifikata mjekësore apo pasaportat e imunitetit. Megjithatë, nuk është zyrtarizuar ende se cila prej këtyre masave do të jetë e detyrueshme në nivel global, apo se çfarë do të ndodhë me turistët që do refuzojnë të testohen.