Skandali me emigrantin/ Gjirokastra rrezikon të shndërrohet në vatër të rrezikshme të koronavirusit
Gjirokastra, e cila deri më sot ishte një nga dy qarqet e vetme në vend pa asnjë rast me koronavirus, rrezikon të shndërrohet në një vatër të rrezikshme infeksioni me Covid-19.
Ditën e sotme u konfirmua edhe rasti i parë në këtë qark, ku një 54-vjeçar nga Fieri, i cili u karantinua pas ardhjes nga Greqia në një hotel në grykën e Këlcyrës, rezultoi pozitiv me koronavirus.
Konfirmimi i 54-vjeçarit ka bërë që Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor në Gjirokastër t’u marrë 25 personave tampona, pasi dyshohet se kanë pasur kontakte me të infektuarin.
Ajo që vlen të theksohet është se midis tyre iu është marrë tamponi edhe komplet turnit të policëve dhe kontrollorëve të Policisë Kufitare të Kakavijës, inspektorëve të NJVKSH të instaluar në Kakavijë, dy sanitarëve dhe tre infermierëve.
Kjo situatë rrezikon të kthehet në kritike, pasi Gjirokastra mund të kthehet në vatrën më të re të koronavirusit në vend. Në këtë situatë skandaloz është papërgjegjshmëria e treguar nga NJVKSH e Përmetit, e cila nuk mori tamponët në momentin fillestar te 26 emigrantët që u karantinuan në datat 16-17 prill në hotelin në grykën e Këlcyrës.