Shkoi për kontroll rutinë por mjekët shtrojnë me urgjencë në spital modelin shqiptar
Modeli shqiptar Rolando Lekaj ka bërë me dije se është shtruar në spital për të bërë kontrollet për Koronavirusin. Ai ka treguar se kishte shkuar në spital për një kontroll rutinë por mjekët e kishin shtruar direkt. Pasi ishte kthyer nga Gjermania, ai ishte izoluar në shtëpi për 14 ditë.
Në një video të publikuar nga ‘Dosja.al’, modeli tregon se nuk ka fjetur për tre ditë nga frika se mos testi i dilte pozitiv. Megjithatë analizat kanë rezultuar negative por sërish ai iu bën thirrje qytetarëve të mos e marrin si shaka sepse kjo është me të vërtetë shumë e rrezikshme.
“Jam në spital që ditën e hënë. Erdha për arsyen se mbarova karantinimin për 14 ditë dhe duhet të bëja analizat të sigurohesha që nuk kam asgjë të keqe. Unë mendoja se do të vija për analizat dhe do të shkoja në shtëpi, por është shumë ndryshe nga sa e mendojmë. Në momentin që kam ardhur në spital deri sot që bëra analizat shyqyr që ishte negative. Mos e merrni si shaka, ju betohem është shumë e rrezikshme”, është shprehur ai.
Kujtojmë se pak ditë më parë ai bëri me dije se do t’i vijë në ndihmë Shqipërisë duke dërguar 200 mijë maska për të gjithë mjekët shqiptarë. Rolando është martuar prej dy vitesh me biznesmenen nga Kina.