Lajme Javore

Informohu i pari

Shiu i madh bën namin në Kosovë/ Po meteorologët japin lajmin e mirë: Ja cfarë pritet të ndodhë…





Reshjet e shiut një ditë më parë në lagjen “Deremhallë” në Komunën e Gjilanit shkaktuan përmbytje masive, duke rrezikuar shumë familje. Mësohet se janë evakuuar disa prej tyre. Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri tha se janë bërë ndërhyrje në 25 raste të ndryshme nga 52 thirrje që kanë pranuar institucionet komunale të emergjencave.

Komuna e Prishtinës, të dielën, më 18 korrik, u përball me një stuhi shiu dhe ere, që vërshoi disa rrugë të kryeqytetit të Kosovës. Por, kjo komunë tha se situata është nën kontroll. Edhe Komuna e Skenderajt pati shira të dendur dhe breshër gjatë ditës së shtunë. Drejtori i Shërbimeve Publike në këtë komunë, Gëzim Ejupi, tha për Radion Evropa e Lirë se dëme më të mëdha janë shkaktuar në sektorin e bujqësisë.

“Ka pasur dëme të konsiderueshme në Skenderaj goxha shumë nga breshëri, në kultura bujqësore, po ashtu edhe në ekonomi familjare dhe disa çati të shtëpive janë rrëzuar”, tha ai.

Ndërkohë rreth 200 persona llogariten të kenë vdekur nga përmbytjet që kanë ndodhur ditëve të fundit në disa vende të Evropës duke përfshirë Gjermaninë, Belgjikën, Holandën, Luksemburgun, Zvicrën, Austrinë dhe Republikën Çeke.

Instituti Hidrometeorologjik dhe meteorologët nuk kanë parashikuar se moti i lig në Kosovë do të zgjatet edhe për shumë ditë. Të premten (16 korrik), Instituti kishte parashikuar mot me shi nga data 17 deri më 19 korrik. Megjithatë, sipas këtij njoftimi, nuk parashihet dalje e lumenjve nga shtretërit, që paraqet shkakun kryesor të vërshimeve dhe dëmeve të rënda si pasojë e reshjeve.

“Në lumenjtë kryesorë, sipas rrjetit të stacioneve hidrometrike në Kosovë, nuk parashihet që të kenë lëkundje të theksuara të niveleve dhe prurjet të ujit, prandaj edhe nuk do të ketë rrezik nga përmbytjet lumore”, thuhej në njoftim.

Edhe meteorologu dhe profesori universitar, Sylë Tahirsyla tha se moti me reshje të dendura nuk do të jetë afatgjatë. “Është një situatë alarmante që e ka goditur Evropën. Këto te ne janë reptica, do të thotë mbetje. Ka pasur shkarkime atmosferike e breshër. Kjo situatë nuk do të zgjasë shumë, do të zgjasë edhe gjatë ditës së nesërme”, tha ai.

Megjithatë sipas Tahirsylës, infrastruktura në vend dhe shkatërrimet nga faktori njeri e rrisin ndjeshëm rrezikun për vërshime në Kosovë.

“Faktori njeri është ai i cili ka destabilizuar çdo gjë, shkatërrimi i bankinave të lumenjve të shtretërve të lumenjve… Kemi një degradim të madh të pyjeve dhe prerja e pyjeve shkakton edhe vërshimet në territore të caktuara”, tha ai.