Lajme Javore

Informohu i pari

Shifrat flasin vetë/ Të rinjtë shqiptarë të parët që ikin nga vendi i tyre: Nuk ka të ardhme këtu





Vit pas viti, fenomeni i emigracionit po merr përmasa alarmante dhe po përfshin segmente të shoqërisë me aftësi. Një anketë e vitit 2020 e profesorëve Gëdeshi dhe King, nga Qendra për Studime Ekonomike dhe Sociale me studentë, zbuloi se 79% e studentëve shqiptarë dëshirojnë të largohen nga vendi në raport me 65% në vitin 2018.

Nga ana tjetër, 95% e atyre që studiojnë jashtë nuk dëshirojnë të kthehen. Zhgënjimi i prindërve, sidomos i atyre me mundësi të larta ekonomike, shtyn të rinjtë të studiojnë jashtë, ndërsa të tjerët ikin nga mungesa e perspektivës dhe mundësive në vend.

Rritja e dëshirës për emigrim zbulon dobësitë strukturore të ekonomisë dhe politikave, që në vend që të përmirësohen po përkeqësohen dhe nuk po gjenerojnë mundësi dhe perspektivë për popullatën. Sipas Monitor.al, fenomeni i largimit është më i lartë në Shqipëri, se kudo tjetër në Europë.

Fakti se 79% e studentëve dhe 59% e maturantëve, po planifikojnë të ikin nga Shqipëria, sipas një ankete të fundit të realizuar nga profesorët Ilir Gëdëshi dhe Russell King, nxjerr zbuluar dobësitë strukturore që po kalon ekonomia e vendit dhe mungesën e perspektivës për të ardhmen.

Liria e lëvizjes për zgjedhur vendbanimin dhe profesionin, një tipar dallues i globalizmit prej të cilit janë prekur edhe vendet e zhvilluara, po e përball Shqipërinë me pasoja fatale, boshatisjen e vendit. Anketa e madhe e emigracionit vitin e kaluar zbuloi se nga viti 2011 deri në 2019 kanë lënë vendin edhe 360 mijë persona. Popullsia reale në vend nga 2.8 milionë, është diku te 2.4 milionë.