Lajme Javore

Informohu i pari

Robert Aliaj s’lë gjë pa thënë për Ronelën/ Ishte paçavure, me turqizma dhe performancë histerike

Robert Aliaj ka folur për performancën e Ronela Hajatit në Eurovision, të cilën e cilësoi si “paçavure totale” dhe “skandaloze”. I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, Aliaj tha se problemi qëndron tek organizatorët, të cilët duhet të marrin përgjegjësi.“Mua nuk më shokon performanca dhe niveli artistik i performancës, paraqitja shqiptare në të gjithë aspektet e veta. Shoh arsyet përse nodhi kjo gjë. Është një ngjarje ndërkombëtare ku ne mund të përfaqësohemi”.“Nga këto allishverishe, bakshishe, turqizma… Duhet ta bëjmë si vokacion dhe të na përfaqësojnë siç duhet.

Nga koka e televizionit deri te punëtori i skenës”, tha Aliaj. “Performanca ishte skandaloze, nuk është çështja vetëm vizuale. Çdo lloj komponenti muzikor nuk funksiononte fare. Aq sa thuhet në tekst aq edhe në peformancë. As ka konceptim, as ide thelbësore ku mbështetet performanca. Kishte një figurë skenografike dhe figura baleti. Ishte një paçavure totale, çoroditje totale”.“As u kërcye, thjesht u panë disa figura velinash sesa balerinë. Ajo që sundoi dhe i vuri vulën ishte një performancë histerike. As melodi, as strukturë, as organizim, asgjë. Ishte vetëm dëshira për të befasuar, për të thënë ia arrita qëllimin sepse turma më pëlqeu”.“Problemi i përgjegjshmërisë, kur një artist del dhe përfaqëson popullin… Tjetër gjë një skenë private dhe tjetër gje kur përfaqëson kombin. Çështja e përgjegjshmërisë kurrë nuk është kuptuar. Ne nuk kthejmë në asnjë mënyrë asgjë mbrapsht”.“Kuptohet, kjo ratatujë mbeturinash, teneqesh që dolën në skenë, u bë një zhurmë dhe kaq. Edhe ishte paralajmëruar delegacioni shqiptar të mos bënte diçka të tillë dhe e bënë. Një veprim, delirant, injorant, papërgjegjshmërie. Ka përgjegjësi ai që jep vendimin për t’u përfaqësuar me këto lloj nivelesh. E gjitha është te RTSH, te boshti, te një strukturë tjetër, ku ka njerëz ekspertë që orientojnë edhe trendin, se si ne duhet të përfaqësohemi”, tha Aliaj.