Lajme Javore

Informohu i pari

Rishfaqet rrëqebulli, zbulohet një familje në pyjet e Librazhdit

Rrëqebulli ballkanik është një ndër speciet që është drejt zhdukjes. Fatmirësisht moratoriumi i gjuetisë në vendin tonë ka ndihmuar në shumimin e kësaj specieje. Nga kamerat kurth të vendosura në Elbasan, në rajonin malor Polis-Guri i Zi është filmuar një familje rrëqebulli, e përbërë nga tre individë.

Kjo provë e riprodhimit të rrëqebullit është indikatori parësor për ekzistencën e një popullate tjetër në Shqipëri. Pas zonës së Munellës në veri të Shqipërisë, Guri i Zi bëhet tashmë rajoni i dytë në Shqipëri ku është vërtetuar riprodhimi i rrëqebullit dhe zona e tretë në gjithë Ballkanin. Këto pamje, përveç faktit të vërtetimit të riprodhimit të rrëqebullit, kjo e dhënë vërteton dhe vendndodhjen më jugore të rrëqebullit të Ballkanit në të gjithë gadishullin.

Rrëqebulli i Ballkanit është një mace me këmbë të gjata dhe robuste. Gëzofi është i verdhë dhe i murrmë në verë, më i zbehtë në dimër, shumë laraman në këmbë, por me më pak lara mbi shpinë.

Monatoriumi i gjuetisë ka dhënë një ndihmesë për popullimin e shumë specieve jo vetëm gjitarë por edhe shpendë. Ndalimi i gjuetisë është në fuqi deri më 2021. Ndërkohë që nga Ministria e Mjedisit po shikohet mundësia e shtyrjes së afateve.