Rezulton i zhdukur prej 5 ditësh, ja çfarë dyshohet se ka ndodhur me 63 vjeçarin në Dibër (Emri)
Një 63 vjeçar nga fshati “Rreth – Kalë” i Njësisë Administrative Muhurr në Dibër rezulton i zhdukur prej 5 ditësh. Kanë qenë familjarët e Sefedin Lleshit të cilët kanë denoncuar zhdukjen e tij në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër.
Sipas tyre, Sefedini ka rënë në lum bashkë me kalin e tij i cili ka arritur të dalë dhe të kthehet në shtëpi i lagur e i gjakosur. Kjo ka bërë që ata të dyshojnë se 63 – vjeçari është mbytur në lumin Drin, ndërsa kërkimet për të po i bëjnë vetë.
Gazetari Enver Doci raporton për “Balkanweb” se familjarët denoncojnë neglizhencën e bluve të Dibrës në rastin konkret të cilët ju janë shprehur se po hetojnë rastin. Kërkesa e tyre për të sjellë polumbarë për kërkime në lum, nuk është realizuar deri tani.
Ata i bëjnë thirrje institucioneve shtetërore që të vihen menjëherë në lëvizje dhe të nisin kërkimet për gjetjen e të afërmit të tyre.