Rënkimi për të uriturit e harruar nga bota, të prekur edhe nga COVID-19
Në kohën kur bota i ka drejtuar sytë drejt armikut të përbashkët – koronavirusit, miliona banorë të Jemenit, në mesin e tyre edhe miliona fëmijë, e kanë edhe një hall tjetër – kafshatën e gojës.
Sipas një raporti të dërguar në Këshillin e Sigurisë së Kombeve të Bashkuara, mungesa e qasjes në ushqim është duke e prekur jetën e 6.7 milionë jemenasëve, transmeton Gazeta Express.
Organizata “Save the Children” më parë e ka fajësuar koalicionin e udhëhequr nga Arabia Saudite për bllokimin e ndihmave për civilët, duke shkaktuar shumë vde kje nga uria.
Në anën tjetër, Organizata e Ushqimit dhe e Bujqësisë e Kombeve të Bashkuara, ka thënë se mbi 20 milionë banorë të Jemenit nuk e kanë ushqimin e sigurt, ndërsa 10 milionë janë buzë urisë dhe vde kjes, duke e konsideruar këtë si krizën më të rëndë humanitare në botë gjatë vitit të kaluar.
Sipas organizatës “Save the Children”, 12.3 milionë fëmijë kanë nevojë për asistencë humanitare dhe mbrojtje në Jemen.
Gati gjysma e fëmijëve i kanë humbur shtëpitë apo strehimin për shkak të luftës. 70 për qind e fëmijëve nuk kanë qasje në ujë të pastër dhe shërbime sanitare.
Kjo organizatë ka bërë thirrje që të gjithë ata që kanë mundësi të ofrojnë donacione për shkak të gjendjes së rëndë, ku miliona njerëz rrezikohen nga vd ekja prej urisë.
Përpos urisë, miliona njerëz janë të rrezikuar edhe nga pandemia Covid-19 për shkak të mungesës së shërbimeve mjekësore në kohë lufte.