Lajme Javore

Informohu i pari

OKB paralajmëron njerëzimin: Bota rrezikon të përballet me krizë urie me ‘përmasa biblike’

“Bota rrezikon të përballet me krizë urie me ‘përmasa biblike’, si pasojë e pandemisë Covid-19”

Kështu paralajmëroi sot Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), e cila sugjeroi se duhen marrë masa të menjëhershme për të shmangur një katastrofë të mundshme.

Kreu i Programit Botëror Ushqimor (WFP), David Beasley, tha se sipas një raporti vlerësohet se numri i njerëzve që vuajnë nga uria mund të rritet frikshëm nga 135 milion që është aktualisht, në më shumë se 250 milion.

Sipas raportit të WFP vendet më të rrezikuara janë ato që së fundmi janë prekur nga konflikte ushtarake, kriza ekonomike dhe ndryshimi i klimës.

Raporti i katërt vjetor global mbi krizat e urisë thotë se shtetet që rrezikojnë të përballen me rritje të krizës ushqimore janë Jemeni, Republika Demokratike e Kongos, Afganistani, Venezuela, Etiopia, Sudani i Jugut, Sudani, Siria, Nigeria dhe Haiti.
Në raport thuhet se 61% e popullatës në Sudanin e Jugut u prek nga kriza ushqimore e vitit të kaluar.

Edhe para shpërthimit të pandemisë, disa vende të Afrikës Lindore dhe Azisë së Jugut u përballën me mungesa të mëdha ushqimore të shkaktuara nga thatësirat dhe infeksionet e përhapura nga karkalecat, të cilët ndër të tjera kanë shkaktuar dëme katastrofike n të mbjella. Duke iu drejtuar Këshillit të Sigurimit në OKB, z.Beasley tha se bota duhet të “veprojë me mençuri dhe shpejt”.

Ai tha:
Ne mund të përballemi me krizë ushqimore të përmasave biblike në muajt e ardhshëm. Koha nuk është në anën tonë dhe duhet të veprojmë shpejt. Unë besoj se me ekspertizën dhe partneritetet tona strategjike, ne mund të bashkojmë ekipet dhe programet e nevojshme për të siguruar parandalimin e një katastrofe ushqimore të shkaktuar nga Covid-19.
Shefii WFP, i cili sapo është rikuperuar nga Covid-19, e nisi konferencën e tij për Këshillin e Sigurimit duke thënë “më falni që do të flas haptazi”.

Në një intervistë, ai shprehu frikë se 30 milion njerëz, dhe ndoshta më shumë, mund të vdi snin brenda disa muajsh nëse OKB nuk siguron më shumë fonde dhe ushqime.

Por, pandemia ka bërë që donatorët të tërhiqen. Z.Baesley thotë se askush nuk duhet t’u kthejë shpinën të prekurve dhe njerëzve në nevojë. Ai paralajmëroi që kaosi mund të jetë rreth e përqark botën.

Ai shtoi:
Në një mënyrë ose në një tjetër, bota do të paguajë për gjithë këtë. Më mirë të punojmë së bashku, mbi bazën e fakteve dhe jo nga frika.