Lajme Javore

Informohu i pari

Nikoqirë të mëdhenj/ Shqiptarët dalin më kursimtarët në Ballkan, ja sa para kanë në bankë

Shqiptarët janë populli më kursimtar në Ballkanin Perëndimor. Të dhënat krahasuese nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) tregojnë se në fund të vitit të kaluar depozitat bankave të shqiptarëve ishin sa 68.8% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).

Me këtë shifër, Shqipëria është bindshëm para vendeve të rajonit. Më i afërti është Maqedonia e Veriut, ku depozitat kanë një vlerë sa 58.1% e PBB-së, e ndjekur nga Bosnja me 53.7%, Kosova me 50%, Mali i Zi me 42.8% dhe Serbia me 46.8%.

Vitin e kaluar, depozitat e shqiptarëve në banka u zgjeruan me dy pikë përqindje ndaj PBB-së, duke iu afruar sërish pragut të 70%, ku qëndronin deri në vitin 2017. As epoka e normave më të ulëta historike të interesit nuk e ka ulur shumë raportin e depozitave bankare në Shqipëri.

Përgjithësisht, shqiptarët ngelen të përkushtuar ndaj instrumenteve më tradicionale të kursimit. Megjithëse në dekadën e fundit ka një rritje të investimit në instrumentet e borxhit të qeverisë shqiptare, në mënyrë direkte apo përmes fondeve të investimit, pjesa dërrmuese e shqiptarëve preferojnë t’i mbajnë paratë në depozita bankare. Në vend nuk ka ende një treg kapitali që të ofrojë alternativa të tjera të investimit financiar.

Niveli i lartë i depozitave në vendin tonë është mbështetur edhe nga remitancat, me një pjesë e mirë e kursimeve të emigrantëve që janë mbajtur në bankat shqiptare.