Lajme Javore

Informohu i pari

Nëse keni vapë, ose përtoni të gatuani kjo është receta perfekte/ Sallatë e ftohtë me patëllxhanë të pjekur e domate, shumë e lehtë dhe e shkëlqyer në shije

Patëllxhanët janë ushqimi më special për shëndetin e trurit! Lëkura e tyre e purpurt nuk është thjesht e bukur por përmban antioksidantë të fuqishëm.

Këto substanca luftojnë radikalet e lira dhe mbrojnë lipidet e qelizave të trurit.

Ndaj dhe AgroWeb.org ju sjell një recetë e cila ju kënaq stomakun e në të njëjtën kohë forcon trurin tuaj.

Plot shije dhe vlera, sallata me patëllxhanë të pjekur dhe domate do t’i pëlqejë që të gjithë pjesëtarëve të familjes suaj.

Përgatiteni sipas hapave të treguar në recetë dhe shijojeni që sot.

Përbërësit
200g patëllxhanë të vegjël

2 lugë gjelle me vaj ulliri

Kripë dhe piper të zi

100g domate qershi

4-5 gjethe nenexhiku

1 tufë me majdanoz

1 lugë gjelle me bishta qepësh të njoma

100g djathë i bardhë

Për marinimin:
1 thelbi hudhër

3 lugë gjelle vaj ulliri

1 lugë gjelle uthull molle

Gjysmë luge gjelle me lëng limoni

Lëkura e një limoni

Kripë dhe piper të zi

Përgatitja
Si fillim AgroWeb.org ju këshillon që të ngrohni furrën në 200 gradë Celsius.

Pasi t’i keni shpëlarë dhe qëruar nga bishtat patëllxhanët pritini në tre apo katër shirita.

Vendosini fetat e patëllxhanit në një tavë me letër pjekjeje dhe spërkatini me vaj ulliri, kripë dhe piper të zi.

Piqini patëllxhanët për 20-30 minuta duke u kujdesur që t’i ktheni nga të dyja anët, në mënyrë që pjekja të jetë e njëtrajtshme.

Pasi t’i hiqni nga furra lërini të ftohen ndërkohë që përgatisni pjesën tjetër të sallatës.

Prisni domatet qershi në gjysmë, thërrmoni djathin e bardhë, grini imët majdanozin dhe gjethet e nenexhikut.

Ndërkohë në një tas përzieni vajin e ullirit, hudhrën e shtypur, uthullën e mollës, lëngun dhe lëkurën e limonit, kripën e piperin e zi.

Bashkoni patëllxhanët me pjesën tjetër të përbërësve që përgatitët pak më parë dhe marinojini me salcën.

Përziejini mirë dhe mbulojini me qese kuzhine dhe futeni sallatën për 10 minuta në frigorifer që shija të jetë akoma edhe më perfekte./