Lajme Javore

Informohu i pari

Në muajin e fundit të shtatzënisë, infermierja shqiptare: Më jep forcë bebja ime

Armida Bahja Hoxha është në muajin e fundit të shtatzënisë, por vazhdon të punojë në vijën e parë të luftës kundër koronavirusit, në Teksas të SHBA-së. Në një intervistë për gazetaren dhe shkrimtaren Kozeta Zylo, infermierja shqiptare tregon se bebja i jep forcë në këto ditë të vështira.

Intervista:

Jam befasuar kur pashë që një grua shtatzanë në muajin e nëntë shërben nëFrontin e Luftës, ndërkohë ndihem tejet krenare që ju vazhdoni t’u shërbeni të sëmurëve. Cila është detyra juaj konkretisht dhe ku punoni?

Faleminderit që më dhatë mundësinë të ndaj përvojën time me ju në lidhje me këtë krizë. Unë punoj si një Infermiere e Regjistruar (RN) në një nga spitalet më të mëdha në Hjuston Teksas. Unë punoj në Vendosjen e Kujdesit Akut (Acute Care Setting), ku presim dhe trajtojmë pacientët në fazën kritike të sëmundjes.Nga këtu në varësi të rezultatit pacienti mund të transferohet në njësinë e kirurgjisë/mjeksisë nëse gjendja përmirësohet ose në ICU nëse gjendja përkeqësohet.

Domethënë ju jeni 2 veta që po i shërbeni popullit amerikan? Jeni e frikësuar për bebin tuaj dhe a keni status të vecantë si grua shtatzënë?

Po, mund të thuash se jemi dy persona të cilët u shërbejmë pacientëve, unë dhe foshnja ime e palindur. Ai mua më jep forcën për të vazhduar më tej. Për mua frika më e madhe është se mund të lind nga momenti në moment, por për sa i përket frikësimit nga infeksionet, besoj se flas për të gjithë punonjësit e sistemit shëndetsor, kur them se kur hasim këto lloj vështirësish, frika zë pozicionin e dytë ose “back seat” siç themi në Amerikë. Frika tejkalohet, natyrisht, me përdorimin e kujdesshëm të pajisjeve mbrojtëse, megjithëse ato janë të vogla në numër dhe përkohësisht me kursim. Sa i përket statusit të veçantë në këtë situatë, është pak vështirë, por mund të them se kam pasur ca lehtësime dhe ndihmë, sidomos kur u futa në javën e 38 të shtatzanisë. Madje keto javët e fundit kam bërë më shumë turne nate, ku lëvizja e njërëzve është më e paktë gjithashtu dhe nevojat e pacientëve janë më të ulëta. Por, momentalisht, ne jemi “all hands on deck”, siç thonë në Amerikë. Ne punojmë si ekip dhe kolegët e mi më ndihmojnë shumë sidomos në lëvizjen e pacientëve. Për fat të mirë, numri i pacientëve të prekur nga Covid-19, të cilët kanë nevojë për “Kujdesin Akut” në spitalin tonë është ende i ulët, i menaxhueshëm dhe nën kontroll.

Sa kohë keni që punoni si infermiere në Amerikë?

Unë lëviza në Amerikë, në shtator 2017, fillimisht punova si një Ndihmëse Infermierie gjatë kohës që m’u njoh diploma nga Bordi i Infermerisë në Teksas dhe më pas kalova si infermiere në prill 2019.

Si u ndjetë kur ju dhanë detyrën se do të jeni në vijën e parë të Frontit të Luftës?

Në fakt, detyrën nuk ma dhanë, unë e kërkova atë që në momentin kur hyra në këtë fushë. Unë besoj se kushdo që e bën këtë detyrë ka një pasion të veçantë për t’u kujdesur dhe lehtësuar dhimbjen e atyre që kanë nevojë. Kjo është ajo që më shtyn të vazhdoj të luftoj për këta njerëz derisa të mundem edhe kur kam parasysh që kolegët e mi kanë nevojë për mua. Diçka e veçantë krijohet kur jemi në situata të tilla “në frontin e betejës”, siç përmendet ju, një “band of brothers” ose shokë luftëtarë. Prandaj duke iu përgjigjur pyetjes suaj, ndihem krenare të bëj pjesën time për njerëzimin në këto momente të vështira.

Ju punoni për ICU, sipas informacioneve që kam nuk ju vendoset tubi të gjithë pacientëve, si bëhet përzgjedhja e pacientëve? Ndiheni keq që nuk është mundësia për të gjithë?

Atëherë, unë punoj në Kujdesin Akut, i cili është procesi para se pacienti të shkoj në ICU. Ne kujdesemi që të parandalojmë vajtjen e tij në ICU. Për fat të mirë në Hjuston, përqindja e pacientëve që kanë nevojë për kujdes intensiv është ende e ulët dhe ne kemi kushte dhe hapësirë ​​për çdo person tani për tani. Stafi i ICU bën çdo përpjekje për të shpëtuar jetën e çdo pacienti. Ne momentalisht nuk jemi në fazën ku mund të zgjedhim kush do të marr respirator apo jo dhe shpresoj që të mos jemi kurrë në atë fazë. Por në se do të ishim, vendimi do të merrej nga mjekët e ICU dhe besoj se kjo do të varej nga situata e pacientit dhe perqindja e mundësisë që pacienti ka për te mbijetuar. Janë vendime tepër të vështira edhe ende më të vështura për t’u zbaturar, por kur përballemi me dy të këqia, do zgjedhim të keqen më të vogël. Sigurisht që për ne humbja e pacientit nuk është e dicka që erdhi me këtë virus, në repartin tonë ndodh shpesh dhe normale që humbja e çdo pacienti është e rëndë, por ne gjejmë mbështetje tek Zoti, sepse në fund të fundit bëjmë atë që kemi në duart tona.

A mendoni se do të zhduket së shpejti kjo epidemi globale?