Lajme Javore

Informohu i pari

Mjeku Tritan Kalo: Covid-19 mund të ketë qarkulluar në Shqipëri që prej muajit janar

Mjeku i njohur infeksionist, Tritan Kalo, ka folur në lidhje me situatën e koronavirusit në Shqipëri.

Në një intervistë për Ora News, Kalo tha se nuk e përjashton mundësinë që Covid-19 të ketë qarkulluar në vendin tonë që prej muajit janar.

Ai shprehet se për këtë merr shkas nga numri i lartë i qytetarëve që kanë pasur shenja klinike të ngjashme me ato të koronavirusit gjatë kësaj periudhe.

Mjeku tha ndër të tjera se që nga e hëna do të nisë testi serologjik. Sipas tij, ky lloj testimi synon të bëjë përcaktimin e tre shkallëve të imunitetit në popullatë.

Kalo u shpreh:

Te ne mundet të ketë ardhur, gjithmonë janari dhe shkurti shoqërohet me një kulm të grupit ose infeksioneve grip ngjasuese. Sars Cov2 nuk ka asnjë element klinik përveç disa imazheve radiologjike më specifike se infeksionet e tjera virale që nuk janë dhe ato të gjitha të lidhura me Covid 19.Studimi që do të bëhet dhe që nis të hënën na orienton dhe në këtë drejtim. Nëse i kemi të gjithë të testuar mundet që imuniteti IgG të jetë zhvilluar para datës 8 mars kur është izoluar rasti i parë. Individët që trajtohen pozitiv për Covid 19 dhe popullata jashtë këtij grupi zhvillojnë atë që quajnë imunitet.Testet serologjike synojnë për të përcaktuar tre shkallë të imunitetit në popullatë. Nëse nuk gjenden antitrupëza në organizëm do të thotë se ky organizëm nuk ka qenë fare në kontakt me virusin dhe në çdo kohë mund të bëhet pre e një infeksioni të tillë. Së dyti në organizëm pas ditës së 7 të kontaktit me virusin zhvillohen antikorpet IgM dhe pas ditës së 14 dhe 20 shfaqen antitrupëza që shfaqin imunitet më të qëndrueshëm. Përmes testit serologjik përcaktohen tre grupe individësh, individë pa asnjë imunitet, individët që kanë vetëm IgM dhe ata që kanë IgM dhe IgG që do të thotë se janë tashmë të imunizuar nga një kontakt ndoshta dhe pa zë nga ky infeksion. Fillimisht është menduar të bëhet paralelisht me PCR dhe më pas është menduar të shtrihet më gjerë në popullatë.