Mbyllen shkollat/ Shahini: Klasa virtuale dhe video selfie për të rekuperuar mësimin
Pas evidentimit të dy rasteve të para me Koronavirus në Shqipëri u urdhërua mbyllja e institucioneve arsimore deri më 23 mars.
Në një dalje publike, ministrja e Arsimit, Besa Shahini ka dhënë informacion për mënyrën si do procedohet në vijim në mënyrë që nxënësit të mos mbeten pas në mësime.
Shahini u shpreh se orët e mësimit do zhvillohen online perms lidhjeve në selfie video midis nxënësve dhe mësuesve dhe përmes krijimit të klasave virtuale.
Fjala e ministres Shahini:
Arsyeja e mbylljes së shkollave është frenimi i përhapjes së virusit. Është parandaluese dhe frenuese. Nuk ka nevojë për panik. Fëmijët dhe të rinjtë nuk janë të rrezikuar por mbartës. Ndaj bëhet pezullimi për të mos u përhapur virusit. Për shkak të humbjes së orëve të mësimit nga tërmeti i 26 nëntorit, nuk do të zëvendësohen dot të gjitha orët e mësimit. Fëmijët do punojnë nga shtëpia. Materialet do ndahen në rrjetet sociale dhe do kalojnë nga drejtorët e shkollave tek mësuesit, të cilët do ia kalojnë prindërve dhe këta të fundit do ia përcjellin fëmijëve. Do përdoret edhe metoda e selfie video, kjo është një nga mënyrat. Nëse ka pyetje, mësuesi bën video dhe e dërgon nxënësve në grup. Do aplikohet që nesër.
Ndër të tjera Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu bënë apel publik që të shtohen masat e higjenës personale në ambientet e shtëpisë dhe punës.