Las Vegas/ Të pastrehët do të flenë në betonin e parkingut të një qendre tregtare
Në Las Vegas, një prej strukturave që shërbente për strehimin e të pastrehëve, tashmë është mbyllur. Shkak për këtë, u bë testimi pozitiv i një të pastrehu ndaj Covid 19. Për të shmangur infektimin e personave të tjerë, struktura u mbyll duke i lënë kështu 500 njerëz në mes të rrugës.
Kështu që zyrtarët vendosën të krijojnë një strehë të improvizuar, në parkingun e një qendre tregtare. Gjatë fundjavës, parkingu i qendrës, u shndërrua në një hapësirë gjumi me ndihmën e vullnetarëve.Por publikimi i imazheve të kushteve të këtyre të pastrehëve, ngjalli një debat të madh në rrjet.
Në foto, duket sesi njerëzit janë shtrirë në beton, duke mbajtur distancë nga njëri-tjetri. Rreth 50 vullnetarë shtruan 24,000 metra katror qilim për të krijuar dyshekë për gjumë. Gati një duzinë studentë të mjekësisë nga Universiteti Touro Nevada ndihmuan në përkujdesjen e këtyre të pastrehëve, duke i kontrolluar edhe për simptoma të mundshme të Covid 19.
Zyrtarët arritën në përfundimin se kjo metodë strehimi mund të ishte e rrezikshme:
Natën e parë që u hap streha, kanë ardhur rreth 70 persona. Këtu ndihen të sigurt, por qëndrimi në tapet mund të jetë më tepër i dëmshëm sesa i dobishëm. Është shumë e vështirë të dezifektohet dhe pastrohet tapeti, me përmasat që ka.Ne kishim kërkuar për dyshekë të mirëfilltë, të cilët mund të dezinfektohen lehtësisht. Por nuk patëm mundësi t’i siguronim. Prandaj vendosëm të hiqnim tapetin dhe tashmë njerëzit duhet të qëndrojnë në beton. Kemi bërë ndarjet me vija të bardha, për të siguruar distancën mes personave që do të qëndrojnë. Deri tani, ka mbi 120 njerëz që po e përdorin këtë parking si vend strehimi.
Burimi: CNN|Përktheu dhe Përshtati: JOQ Albania