Lajme Javore

Informohu i pari

Koronavirusi në Shqipëri: Ja vendi që do të përdoret si karantinë

Pas konfirmimit të rasteve të para me Koronavirus në Shqipëri, shteti po merr masa të menjëhershme për parandalimin e epidemisë. Ditën e sotme Këshilli i Ministrave ka bërë të ditur vendin ku do të vendoset karantina: Kovaleshenca në Durrës.

“1. Caktimin e shtëpisë së pushimit të ushtarakëve të FARSH-it, prona nr.231, me emërtim “Shtëpia e pushimit të ushtarakëve”, me vendndodhje në Plepa, Durrës, si strukturë për shërbimin e karantinës, në funksion të marrjes së masave për parandalimin e përhapjes së infeksionit nga COVID-19.

2. Caktimin e Ministrisë së Mbrojtjes si autoritet kontraktor për zhvillimin e procedurave të prokurimit, si më poshtë vijon:

a) rikonstruksion të objektit prona nr.231, me emërtim “Shtëpia e pushimit të ushtarakëve”, me vendndodhje në Plepa, Durrës, për përshtatje si infrastrukturë karantine;
b) blerje mallrash/pajisjesh për përshtatjen e dhomave për nevoja të karantinës;
c) sigurimin e ushqimit të gatuar sipas nevojave;
ç) sigurimin e shërbimit të lavanderisë”, thuhet në vendimin e Qeverisë.

Këshilli i Ministrave ka akorduar edhe fond shtesë prej 248 milionë Lekësh të vjetra që do të përdoren për blerjen e mallrave dhe shpenzime të tjera.

Burimi: “tvklan.al”