Lajme Javore

Informohu i pari

Katerina e rritur para kohe/ 16-vjeçarja kujdeset për nënën e paralizuar dhe gjyshen

Katerina Plaka, 16 vjeçarja nga fshati Topoje i Fierit, nxënëse në klasën e 11 në shkollën e mesme të përgjithshme “Andon Profka”, nuk merr pjesë në procesin mësimor virtual ashti si të gjithë shokët edhe shoqet e saj.

Shkak për këtë është gjendja e rëndë ekonomike në të cilën ndodhet familja e saj.
16-vjeçarja jeton me nënën e paralizuar dhe gjyshen, ndërsa të ardhurat ekonomike janë vetëm 10 mijë lekë në muaj. Që prej mbylljes së shkollës për shkak të pandemisë, ajo nuk komunikon me mësuesit dhe shokët e klasës për mësimet online, pasi nuk ka as edhe një mundësi të vetme.

E ëma e Katerinës është e paralizuar dhe nuk mund ta ndihmojë të bijën. Ajo përfiton vetëm 2.600 lekë në muaj ndihmë.

Jeta e së bijës ka qenë tejet e vështirë edhe përpara shfaqjes së koronavirusit. E bija vuan shumë vetëpërjashtimin nga mësimet online. Sot ajo kujdeset për nënën dhe gjyshen e saj si dhe për punët e vështira të familjes në fshat në pritje të rifillimit të shkollës dhe përfundimit të pandemisë.