Ish-ambasadori amerikan në Beograd i jep të drejtë Kosovës për reciprocitet tregtar ndaj Serbisë
Ish-Ambasadori amerikan në Serbi, Michael Polt, ka thënë se Kosova ka të drejtë të kërkojë trajtim reciprok tregtar me Serinë.
Përmes një postimi në Twitter, Polt, duke e shpërndarë një artikull të “The New York Times” me titull “SHBA-ja kundërshton ‘barrierat e reja’ ndaj mallrave serbe”, ka kritikuar presionin që Amerika po i bën Kosovës në këtë rast.
“Nuk ka asnjë arsye që Kosova të mos kërkojë trajtim reciprok tregtar me Serbinë. Presioni i SHBA-së ndaj Kosovës në këtë rast është i gabuar”, ka thënë diplomati Polt, i cili ka qenë ambasador edhe i konfederatës Serbi-Mali i Zi, raporton KOHA.
US Opposes Kosovo’s 'New Barriers' to Serbian Goods https://t.co/J5b7B65rb3. There is no reason Kosovo should not demand reciprocal treatment of its trade with Serbia. U.S. pressure on Kosovo in this case is wrong.
— Michael C. Polt (@amb_mike) April 2, 2020
Qeveria e Kosovës, në një vendim të ditës së djeshme, tha se taksa 100% ndaj mallrave serbe do të hiqet, por do të nis së zbatuari parimi i reciprocitetit me shtetin serb.
Ndaj këtij vendimi, ka reaguar Administrata e Trumpit, përmes ambasadës së saj në Kosovë, duke e kundërshtuar vendimin si të tillë.
Ndërkaq, shtetet e BE-së, e edhe Britania e Madhe, e kanë mbështetur vendimin e Qeverisë në detyrë të Kosovës, të drejtuar nga Albin Kurti. Ato kanë kërkuar që tashmë të nis dialogu mes dy vendeve.