Lajme Javore

Informohu i pari

Gjykata Kushtetuese i jep të drejtë Thaçit për dekretin

Gjykata Kushtetuese ka ardhë në përfundim që dekreti i presidentit Hashim Thaçi për nominimin e Avdullah Hotit për kryeministër është në përputhje me Kushtetutën.

“Gjykata, vendosi: (i) njëzëri që kërkesa e parashtrueseve të kërkesës është e pranueshme; (ii) njëzëri që Dekreti i kontestuar i Presidentit është në përputhshmëri me paragrafin 2 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës, duke konstatuar rrjedhimisht, që votimi i suksesshëm i një mocioni mosbesimi të Kuvendit ndaj Qeverisë, nuk rezulton në shpërndarjen e detyrueshme të Kuvendit dhe mundëson formimin e një Qeverie të re në pajtim me nenin 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës; (iii) me shumicë që Dekreti i kontestuar është në përputhshmëri me paragrafin (14) të nenit 84 [Kompetencat e Presidentit] të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 4 të nenit 95 të Kushtetutës; (iv) njëzëri që të shfuqizohet masa e përkohshme e përcaktuar përmes Vendimit të 1 majit 2020; dhe (v) njëzëri që të refuzohet kërkesa për seancën dëgjimore”.

Gjykata Kushtetuese në pikën 33 të këtij aktgjykimi ka konkluduar se nëse partia fituese do të kishte të drejtën e afatit të pakufizuar kohor për propozimin e mandatarit dhe të drejtën që të refuzohej mandati për kryeministër vetëm shprehimisht, atëherë formimi i qeverisë do të bllokohej në pafundësi.

“Në rrethana në të cilat është votuar suksesshëm një mocion mosbesimi me dy të tretat (2/3) e përfaqësuesve të popullit dhe mundësisë për formimin e një Qeverie të re, po të konfirmoheshin pretendimet rreth: (i) afatit të pakufizuar kohor dhe në diskrecion të plotë të partisë politike fituese, dhe (ii) të drejtës që vetëm shprehimisht të refuzohej mandati për Kryeministër, të kombinuara më kërkesën e vetme për shpërndarje të Kuvendit dhe shpallje të zgjedhjeve të parakohshme, formimi i një Qeverie do të bllokohej në pafundësi, duke mbajtur në detyrë Qeverinë që ka humbur besimin e përfaqësuesve të popullit. Kjo nuk është fryma e Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.

Pika 34 e këtij aktgjykimi i ka dhënë të drejtë presidentit Hashim Thaçi kur ka konstatuar se janë shtjerrë të gjitha mundësitë kushtetuese për partinë fituese që të propozojë kandidatin për kryeministër, njofton Klan Kosova.

“Presidenti, duke balancuar detyrimin e tij për të garantuar funksionimin kushtetues të institucioneve të përcaktuara me Kushtetutë, siç është përcaktuar në paragrafin 2 të nenit 84 të Kushtetutës, përfshirë në këtë kontekst edhe të drejtën e Kuvendit për zgjedhur Qeverinë, siç është përcaktuar në paragrafin 8 të nenit 65 të Kushtetutës, në njërën anë, dhe në anën tjetër, duke marrë parasysh që partia politike fituese e zgjedhjeve, nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim të vetëm drejt propozimit të mandatarit për Kryeministër përkundër kërkesave të Presidentit, por kishte vazhduar të kërkonte shpërndarjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme, përkundër faktit që shumica e partive politike ose koalicioneve të përfaqësuara në Kuvend tashmë ishin deklaruar kundër kësaj mundësie, duke i pamundësuar Presidentit ushtrimin e kompetencës së përcaktuar përmes paragrafit 2 të nenit 82 të Kushtetutës, me të drejtë ka konstatuar shterimin e mundësive kushtetuese për të përcaktuar një kandidat për Kryeministër nga partia politike fituese e zgjedhjeve. Si rezultat kishte filluar procedurat për mandatimin e kandidatit të ri për Kryeministër, në konsultim me dhe pas propozimit të partisë politike, e cila bazuar në konsultimet përkatëse, ka rezultuar të ketë gjasën më të madhe për të krijuar Qeverinë dhe në mënyrë që të shmangen zgjedhjet. E kundërta, do të pamundësonte jetësimin e kompetencave esenciale të Kuvendit të Republikës për të zgjedhur Qeverinë e Republikës së Kosovës”.

Përmbledhjen që reflekton përfundimet thelbësore të Gjykatës Kushtetuese mund ta gjeni KËTU.

Gjykata Kushtetuese ka njoftuar se aktgjykimi i plotë, që përmban arsyetim të hollësishëm, do të publikohet në ditët në vijim.