Lajme Javore

Informohu i pari

E bujshme/ Gjykata e Lartë shpall sot vendimin për Tahirin





Ka përfunduar seanca paraprake në Gjykatën e Lartë për ish-ministrin Saimir Tahiri, i cili ka bërë rekurs të vendimit të GJKKO për dënimin e tij me 3 vite shërbim prove.

Burime nga brenda seancës bëjnë me dije për Fax Neës se SPAK ka kërkuar lënien në fuqi të vendimit të dhënë nga Gjykata e Apelit, për të rikthyer hetimet në pikën fillestare.

Ndërkohë që Tahiri ka kërkuar prishjen e vendimit të gjykatës së Apelit, pasi sipas tij anëtarët e trupës gjykuese kanë qenë në papajtueshmëri për të dhënë vendim, dhe kërkojnë që çështja të rikthehet në Apel dhe të gjykohet nga një trup tjetër.

E thënë më thjesht, Gjykata e Lartë duhet të vendosë ose të rikthejë hetimet në pikën zero, ose të rikthejë çështjen në Apel, dhe të gjykohet nga një trupë e re gjyqtarësh.

Gjykata e Lartë u tërhoq pasi dëgjoi palët, dhe vendimi pritet që të jepet rreth orës 13:00 të mesditës së sotme. Vetë Tahiri ishte i pranishëm në seancë së bashku me avokatin e tij mbrojtës Maks Haxhia.

Ish-ministri nuk ka preferuar që të bëjë asnjë koment për mediat në lidhje me pritshmëritë e tij për vendimin që do të japë sot Gjykata e Lartë.