Lajme Javore

Informohu i pari

Dorëzohet Erdogani/ Anija turke kthen “thembrat” nga majat dhe niset nga brigjet greke për në Antalya

Anija kërkimore turke, “Oruc Reis”, është kthyer në ujërat afër bregdetit jugor të provincës Antalia, sipas një faqeje që përcjell lëvizjet e anijeve. Greqia tha se kjo lëvizje është hap i parë pozitiv drejt uljes së tensioneve me vendin fqinj.

Forcat detare të Turqisë më herët këtë muaj kishin njoftuar se kjo anije do t’i vazhdonte operacionet deri më 12 shtator, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Ministri turk i Punëve të Jashtme, Mevlut Cavusoglu, kishte thënë se anija do t’i vazhdonte operacionet edhe për më gjatë, por autoritetet ende nuk kanë lëshuar ndonjë zgjatje të afatit për kohën e hulumtimeve në ujërat e Mesdheut lindor.

Sipas të dhënave të faqes Refinitiv, anija “Oruc Reis”, bashkë me dy anije të vogla shoqëruese, është kthyer në një hapësirë afër bregdetit të Antalias të dielën.

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, e mirëpriti këtë veprim të Turqisë. “Kthimi i anijes është një hap i parë pozitiv. Shpresoj që të ketë vazhdimësi. Ne duam të bisedojmë me Turqinë në një atmosferë pa provokime”, tha ai para gazetarëve në Selanik.

Ankaraja mund të përballet me sanksione nga Bashkimi Evropian, i cili po i përkrah plotësisht Greqinë dhe Qipron në mosmarrëveshjen me Turqinë për shfrytëzimin e ujërave të Mesdheut dhe burimeve natyrore që gjenden në to