Lajme Javore

Informohu i pari

Bëhet me djalë pas 11 vitesh, prekëse nga materniteti në Tiranë, babai nuk e sheh dot foshnjen, pret në stola me ankth

Covid 19 nuk është duke ndryshuar vetëm jetët tona, të mësuar me ritmin dhe jetën e shpejtë, e kaotike, por dhe bebeve që po lindin këto ditë në Shqipëri.

Nëse maternitetet gumëzhinin nga lulet, të afërmit e shumtë dhe dhuratat për të porsalindurit, tashmë nënat i drejtohen të vetme, sallave të lindjes apo operacioneve, pasi askush tjetër nuk lejohet që të hyjë në ambientet e maternitetit.

Gazetarja e Fax Neës, Ema Shazivari ka qenë mesditën e sotme pranë maternitetit ‘Koço Glozheni’ në Tiranë, ku situata si rrallëherë është e qetë, dhe ka shumë pak hyrje dhe dalje nga dera kryesore, të gjithë pjesë e ekipit mjekësor.

Në stolat e një parku aty pranë, gjendet një baba, që fëmija i tij i shumëpritur, ka ardhur në jetë shumë pranë tij, por që nuk mundet dot ta përqafojë. Ai tregon në mikrofonin e Fax News, se është bërë baba për herë të dytë, nga lindja e vajzës 11 vite më parë, ndërsa shton se nusja e tij iu drejtua maternitetit e vetme.

Duket se ka rënë dakord me veten se të voglin do ta takojë vetëm disa ditë më pas, e tashmë do jetë në dorën e sigurt të mjekëve dhe infermierëve të maternitetit.

“Ndihem i lumtur, por nuk shkoj dot lart që ta shoh, nuk ka as 10 minuta çerek ore që ka lindur nusja, kemi ardhur këtu që në 5 të mëngjesit, e lashë te hyrja nusen. Një doktor doli dhe më tha se kishte shkuar mirë gjithçka, vajzën e kam 11 vjeç, tani bëhem me djalë“, shprehet babai për Fax News,ku nuk mungojnë as emocionet.

Në vendin tonë vetëm një grua shtatzënë është prekur nga Covid 19, e cila sipas ministrisë së Shëndetësisë është shëruar plotësisht. Për fat të mirë nuk ka pasur raste pozitive mes foshnjave të porsalindura, çka tregon se vazhdimësia dhe shpresa për jetën mbeten të paprekura.