Greqia hap kufirin edhe natën deri në këtë orë/ Zbardhen kufizimet e reja, kjo kategori nuk ka nevojë për tampon
Në pikën kufitare të Kakavijë do të lejohet kalimi i emigrantëve edhe gjatë natës. Pas bisedimeve me palën greke është arritur dakordësimi për lejimin e hyrjes së shqiptarëve edhe pas orës 22.00. Në njoftimin e fundit të Ministrisë së Jashtme thuhet se tolerimi do të ndodhë deri ditën e diel në orën 22:00.
Pas këtij orari, për të gjithë emigrantët që do të hyjnë në Greqi do të zbatohet karantinimi për 7 ditë. Kryerja e tamponit po ashtu do të jetë detyrim teksa të përjashtuar janë vetëm shoferët e kamionëve të mallrave dhe fëmijët nën 10-vjeç.
Njoftimi i MEPJ:
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme bën me dije se pas bisedimeve të gjata me palën greke përgjatë këtyre ditëve, është arritur mirëkuptimi që pika kufitare e Kakavijës të vijojë punën edhe pas orës 22:00. Kufiri do të qëndrojë i hapur vetëm përgjatë natës së sotme duke vijuar me të njëjtat ritme intensive të testimit dhe kalimit të shtetasve të mbetur në rradhë në Kakavijë, deri nesër, e diel, dt.16 gusht 2020, ora 22:00. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njofton të gjithë shtetasit se duke nisur nga nesër dt. 16 gusht 2020 për të gjithë ata shtetas të cilët hyjnë në Greqi do të zbatohet karantinimi i detyrueshëm 7 ditor. Gjithashtu, nisur që nga dita e hënë, dt. 17 gusht 2020, nga pika kufitare e Kakavijës do të kenë mundësi të kalojnë vetëm 750 persona në ditë, ndërsa nga ajo e Kapshticës vetëm 300 persona në ditë, në fashën orare 06:00 deri në orën 22:00, konform rregullave të vendosura nga pala greke, si pasojë e situatës së krijuar nga COVID-19. Të gjithë ata shtetas të cilët plotësojnë kriteret e vendosura për të udhëtuar drejt Greqisë (qytetarët me shtetësi greke, personat që kanë leje qëndrimi në Greqi, personat me kartë minoritari, personat që kanë vendbanimin e tyre kryesor në Greqi, si dhe ata që e kanë të domosdoshme të udhëtojnë për arsye profesionale-pas marrjes së lejes së posaçme) nga dita e hënë, duhet të paraqesin në kufi edhe dokumentacionin sa më poshtë: – Testin negativ të COVID-19 (RT-PCR), i cili duhet të jetë kryer deri 72 orë para mbërritjes në pikën e kalimit kufitar, nga laboratorët publike apo private të certifikuara në Shqipëri. Ky rregull nuk vlen për shoferët e kamionëve që transportojnë mallra dhe fëmijët nën 10 vjeç. – Vërtetimin diagnozë të përkthyer në anglisht, në të cilin duhet të jenë të shënuara emri, mbiemri dhe numri i pasaportës/numri i kartës së identitetit të individit.