Censusi i 1901 në Itali, në 47 komuna flitej shqip, jetonin 250 mijë shqiptarë
Aurenc Bebja – Shkrimi në gjuhën frënge i gjeografit Charles Rabot « Numërimi i popullsisë që flet shqip, frengjisht, greqisht, sllovenisht dhe gjermanisht në mbretërinë e Italisë », 1903 – i mbështetur po ashtu në punën e M. H. Raseri, të publikuar në vitin 1902 në « Bulletin international de l’Institut de la statistique », Romë – na sjell disa të dhëna interesante mbi komunitetin shqiptar (arbëresh).
Numërimi është kryer me 10 shkurt të 1901 (40 vite më vonë se censusi i 1861), i cili klasifikon popullsitë sipas gjuhës që përdornin në jetën e përditshme.
Sipas këtij censusi, 252 600 banorë ose 58 208 familje, të cilat banonin në 178 komuna, nuk përdornin italishten si gjuhë komunikimi. Si rrjedhim, komuniteti shqiptar renditej i pari, i ndjekur nga francezët, grekët, sllovenët, gjermanët dhe katalanasit.
Gjuha shqipe flitej në 21 564 familje ose prej 90 000 individësh të shpërndarë gjeografikisht në 47 komuna të Italisë jugore dhe të Siçilisë.
Në distriktin e Cozenca-s, në Kalabri, shqiptarët formonin një grup të konsoliduar. Jetonin aty 9 251 familje (pothuajse 39 000 individë) të vendosur në qytezat e :
Castrovillar : 5 253 familje në 16 komuna
Rossano-s : 2 053 familje në 5 komuna
Cosenza-s : 1 569 familje në 4 komuna
Paola-s : 484 familje në një komunë
Në 17 prej 26 komunave të distriktit të Cosenza-s, shqiptarët përbënin 2/3 ose të gjithë popullsinë e këtyre zonave lokale.
Ndërsa në distriktin e Catanzaro-s, i cili ndodhet në Kalabrinë veriore, jetonin 1 543 familje që flisnin shqip, ose pothuajse 6 570 individë të shpërndarë në 6 komuna (tre në qytezat e Catanzaro-s, dy në Cotrone dhe një në Nicastro).
Pra në Kalabri formohej komuniteti më i madh i popullsisë që fliste shqip në Itali. Gjithsesi kishte komunitete shqiptare të izoluara gjeografikisht në disa provinca të tjera jugore, si për shembull : 55 familje në Abruzzes, 2 121 në Molise, 886 në Campanie, 2 530 në Basilicate dhe 3 290 në Siçili.
Këto 8 882 familje banonin në 27 komuna, ndër të cilat 14 ishin të tëra ose pothuajse të tëra shqiptare, ndërsa 13 të përziera, ku dominonte gjuha italiane.
« Këta shiptarë kanë emigruar në Itali në shekullin XV dhe XVI ». Kuptohet se autori e ka fjalën për arbëreshët. Ai shton se që nga ajo kohë, shqiptarët kanë ruajtur me devotshmëri, jo vetëm gjuhën e tyre, por edhe traditat, këngët e tyre kombëtare, madje edhe kostumet, siç e kanë konstatuar dhe vetë turistët, të cilët kanë vizituar fshatin e bukur shqiptar të Piana dei Greci, i cili ndodhet në hyrje të Palermos.
Sipas numërimit të vitit 1861, në Itali jetonin 55 443 shqiptarë. Sipas autorit, mendohet se ky numërim nuk është realizuar i tëri, prandaj në vitin 1901 numri i shqiptarëve del më i lartë. Në tjetër faktor shpjegues është dhe shkalla e lartë e fertilitetit tek popullsia shqiptare.