Fundjava në izolim, nga java tjetër do të ketë lehtësira lëvizjeje në 9 qytete
Kryeministri Rama ka bërë një lidhje direkte në rrjetet sociale sot ku ka njoftuar përsëri se fundjava do vijojë të jetë në izolim.
“Shtetrrethimi” nis nga ora 17:30 e ditës së premte dhe përfundon ditën e hënë, në orën 5 të mëngjesit.
Ai tha se momentalisht situata është positive por që gjithçka mund të përmbyset shumë lehtë.
Për nesër të shtunë dhe të diel do të jetë e njëjta gjë. Të gjithë në shtëpi pa përjashtim, përveç atyre që janë në ato punë të lejuara të shtunë dhe të diel, se jemi në situatë shumë pozitive, por është e që përmbyset sa hap e mbyll sytë nëse ne lëshohemi. E patë që doli me Covid njëri prej atyre që erdhi nga Greqia? Që më ra goja? Fatmirësisht është në karantinë, po të kishte vajtur në shtëpi në Përmet? Sot dhe Përmetin do e kishim vatër infeksioni.
Ndërsa njoftoi se nga java tjetër do ketë lehtësira në disa zona të vendit:
Nga fillimi i javës tjetër, në një sërë zonash të vendit do të kemi një relaksim, krahasuar me Tiranën apo zona të tjera. Qarku i Gjirokastrës do të ketë më shumë lehtësira, po kështu edhe qarku i Dibrës, po kështu, bashkia e Divjakës, po kështu Saranda, Konispoli, Himara, që do të kenë lëvizje me automjet edhe mes njëra-tjetrës, si dhe zonat Pogradec-Përrenjas-Librazhd. Lëvizja fshat-qytet do të jetë më e relaksuar, pensionistët të dalin në një fashë të caktuar në mëngjes, të tjerët në shtëpi. Prindërit me fëmijë, jo më shumë se 10 vjeç, mund të dalin, madje edhe të rinjtë, por duke eliminuar grumbullimet.