Pas testeve dhe maskave, sërish denoncim ndaj qeverisë: Bleu respiratorët me dyfishin e çmimit
Nuk është hera e parë që përfaqësues nga opozita denoncojnë raste të shkeljeve të qeverisë Rama dhe abuzime të vazhdueshme me tendera. Para disa ditësh u denoncua tenderi për maskat dhe pajisjet mbrojtëse të cilat janë blerë shtrenjt prej qeverisë nga një kompani e cila fitoi tenderin.
Një tjetër denoncim vjen sot nga ish-deputetja demokrate Albana Vokshi e cila publikoi sot çmimet e blerjes së respiratorëve përmes një tenderi të disa javëve më parë nga qeveria duke theksuar se ato janë blerë kundrejt një shume marramendëse.
Sipas Vokshit, një respirator kushton normalisht 6 375 euro, ndërsa është blerë nga qeveria përmes kompanisë “TBS96” kundrejt 11 600 eurove.
Vokshi tha se “TBS96” ka shkelur gjithashtu kontratën e lidhur me qeverinë edhe pse po ia shet respiratorët me një çmim shumë të shtrenjtë.
Gati një muaj pas shpërthimit të epidemisë, qeveria porositi më 3 prill, 54 copë respiratorë, një fakt që tregon sesa e papërgatitur ishte për situatën. Kushti kryesor i tenderit ishte koha e shpejtë e sjelljes së respiratorëve. Kompania fituese duhet të sillte 20 respiratorë brenda 7 ditëve dhe të tjerat më vonë.
Por kjo nuk ndodhi. Kontrata u shkel në mënyrë flagrante. Dokumentat qe ne kemi siguruar tregojnë se kompania TBS 96 ka sjellë vetëm 5 respiratorë nga 54. Megjithatë qeveria nuk e ka prishur kontratën me të, siç e detyrin ligjinnë raste të tillla. Ka vetëm një arsye që mund të çojë një zyrtar të mos zbatojë ligjin dhe ky është rryshfeti, korrupsioni, vjedhja. Shifrat e kontratës e faktojnë këtë. Një respirator është blerë nga qeveria me gati dyfishin e çmimit të tregut. Një respirator është zhdoganuar me 7.7 milion lekë dhe është blerë nga qeveria me 14 milion lekë, pra me çmim gati 2 herë më të lartë.
Ish-deputetja përmendi gjithashtu faktin se qeveria bleu testet për koronavirusin me katër fishin e çmimit të tregut, ndërsa maskat dhe mjetet mbrojtëse u blenë me 2 deri 3 fishin e çmimit të tregut.