Lajme Javore

Informohu i pari

Merr fund pritja e madhe për Europën, nis testimi i vaksinës kundër koronavirusit

Nisin në Europë testimet e para të vaksinës kundër koronavirusit te njeriu.

Testimet e para kanë nisur në Oksford, ku më shumë se 800 vullnetarë pritet të jenë pjesë e studimit. Gjysma e vullnetarëve do të injektohen me vaksinën kundër Covid-19 dhe gjysma tjetër me një vaksinë kundër meningitit por jo kundër koronavirusit.

Në këtë mënyrë, vullnetarët nuk do ta dinë se cila vaksinë u është injektuar. Një prej vullnetarëve është edhe shkencëtarja Elisa Granato e cila tha për BBC se dëshiron të ndihmojë procesin shkencor me sa të mundet.

Vaksina u zhvillua në më pak se tre muaj nga një ekip në Universitetin e Oksfordit. Sarah Gilbert, profesore e vaksinologjisë në Institutin Jenner, drejtoi studimin para-klinik.
“Personalisht kam një shkallë të lartë besimi në këtë vaksinë,” tha ajo.

“Sigurisht që ne duhet ta provojmë vaksinën dhe të marrim të dhëna nga njerëzit. Ne duhet të demonstrojmë se vaksina funksionon dhe ndalon infektimin e njerëzve nga koronavirusi, para se vaksina të përdoret në popullatën më të gjerë.”

Gilbert tha se ajo është “80% e sigurt” se vaksina do të funksionojë, por tani preferon të mos vendosë një shifër, duke thënë thjesht se është “shumë optimiste”.