Lajme Javore

Informohu i pari

Majko: Pas lehtësimit në maj, në Shqipëri do të vihet për të bërë turizëm

Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko deklaroi në një nga mediet e vendit se në muajin maj do të hapen kufijtë e Shqipërisë, megjithatë liberalizimi i lëvizjes do të funksionojë mbi bazën e disa rregullave të caktuara, për mbrojtjen nga infektimi i koronavirusit.

“Puna e strukturave administrative po përpiqet brenda mundësive që maji të na gjejë me një situatë sa më të liberalizuar për të gjithë shtetasit që duan të rikthehen ose ata që duan të largohen nga vendi për tu krijuar atyre mundësi. Por, dua të nënvizoj faktin se nuk do të thotë se do rikthehemi në gjendje normale. Do ketë një lëvizje me rregulla të përcaktuara të cilat hap pas hapi do të tejkalohen. Regulla të cilat ne i kemi shumë të rëndësishme se kanë të bëjnë me jetën e njeriut”, u shpreh Majko.

Majko dha edhe detaje lidhur me telefonatën që pati sot kryeministri Rama me homologun grek, për shqiptarët që duan të kthehen por edhe për ata të cilët bëjnë punë sezonale në shtetin fqinj.

“Rama ka pasur një bisedë telefonike me kryeministrin grek Mitsotakis, për këtë çështje. Sidomos sa i përket situatës së koronavirusit dhe për të stabilizuar atë marrëdhënie të veçantë e cila rivlerësohet nga shtetasit tanë në një numër të madh që punojnë aktualisht në Greqi. Jo vetëm ata që janë rezidentë, por sidomos ata që shkojnë për punësim sezonal. Ju e dini që Greqia ka shpallur interes të veçantë për këtë”, tha ai.

Ministri sqaroi se flesibiliteti në lëvizje do të shpëtojë këtë vit turizmin.

“Vera që vjen do ta gjejë Shqipërinë më fleksibël, më të liberalizuara qoftë lëvizjes dhe situatës në përgjithësi. Por duhet të kemi parasysh dicka që këtë situatë nuk e parashikojmë dot. Kërkohet një mirëkuptim se kjo që po ndodh, nuk po ndodh vetëm me Shqipërinë. Ajo që është e rëndësishme është që Shqipëria e vuri poshtë atë që mund të na vendoste ne poshtë. Pas lehtësimit në maj, këtu do vihet për të bërë turizëm”, shtoi ministri Pandeli Majko.