Lajme Javore

Informohu i pari

Brataj: Ja kur mund të jetë fundi i Koronavirusit në vendin tonë

Drejtori i Urgjencës Kombëtare, zoti Skënder Brataj ishte mbrëmjen e sotme në një lidhje direkte për emisionin “Opinion”. Ai është shprehur se fundi i pandemisë së Koronavirusit në vend do të shënohet kur të mos ketë më të infektuar dhe transmetim komunitar. Brataj e lidh me uljen e thirrjeve drejt numrave të urgjencës për koronavirusin si dhe me qytetet ku nuk ka raste me Covid-19 për disa ditë.

“Nëse sakrifikojmë edhe pak nga liritë tona, nga ekonomia… Kur? kur nuk ka më infeksion, kur nuk ka transmetime komunitare ky është fundi. Unë e lidh me uljen e thirrjeve drejt 127, direkt për Covid-19 me numrin e thirrjeve te 0800 40 40, por mbi të gjitha kur shoh listën e qyteteve që nuk prezantojnë infeksion për disa ditë është pozitive”, u shpreh Brataj.

Përsa i përket lehtësimit të masave, drejtori i urgjencës tha se infeksioni mund të kalojë nga Tirana në qytete që për momentin nuk kanë asnjë rast. Megjithatë ai thekson se nëse njërëzit respektojnë masat dhe ruajnë distancën atëherë gradualisht mund të shkojmë drejt hapjes së vendit gjatë verës.

“Është rreziku që po liruam lëvizjen ndërqytetase do shkojë nga Tirana. Prandaj duhet të bashkëjetojmë dhe të përgatitemi mendërisht. Nëse është një përqindje e ulët deri në 4 Maj sepse në një mënyrë apo tjetër imunizimi i popullsisë do të vijë. Kur vijmë në një përqindje që thuhet se mund të lëvizet lirshëm mund të jetë drejt verës patjetër”, tha Brataj.