Ç’po ndodh në Krujë? Konfirmohen edhe shtatë raste të reja me koronavirus
Vijon të rritet ndjeshëm numri i të infektuarve me koronavirus në qytetin e Krujës, ku bëhet me dije se ka dalë rezultati i testeve.
Fax News raporton se edhe 7 persona të tjerë kanë rezultuar pozitivë nga testimet e fundit.
Mësohet se të gjitha janë gra, punonjëse të një fasonerie, ku njëra prej tyre e ka marrë nga bashkëshorti i saj. Kjo e fundit ishte larguar nga fasoneria e këpucëve rreth një muaj më parë.
Po ashtu, bëhet me dije se janë marrë edhe tampone të tjerë dhe pritet përgjigja e tyre.
Dyshohet se numri i të infektuarve pritet të rrihet gjatë orëve në vijim.
Rreth 400 persona në Krujë janë vetëkarantinuar pasi dyshohet se kanë pasur kontakte me të infektuarit.
Në Krujë operojnë 27 fasoneri, 6 prej të cilave janë mbyllur, ndërsa dy të tjera e kanë ndërprerë aktivitetin e tyre në mënyrë vullnetare.
Kujtojmë këtu që paraditen e sotme ministria e Shëndetësisë njoftoi se në 24 orët e fundit janë konfirmuar 25 raste të reja me Covid-19 në vendin tonë, duke e çuar në 634 numrin e përgjithshëm të rasteve të koronavirusit në rang kombëtar.