Mjekja shqiptare në Itali: Po e shohim dritën në fund të tunelit
Italia ka filluar të shohë dritë në fund të tunelit.
Kështu u shpreh shqiptarja Romina Selenica, doktoreshë në Pisa të Italisë, e cila ka pasur qasje direkte me pacientë të prekur nga koronavirusi.
“Unë kam dyshuar se mos jam prekur edhe vet, por pas dy testeve të bëra, dola negativ”.
“Rreziku është, mirëpo nuk është momenti që të trembemi. Këtë e di secili nga momenti që e kemi marr këtë profesion”.
“Italia pati masa të rrepta pas 10 marsit. Mund të themi se ka dalë nga faza e parë”.
“Po fillon rikuperimi i jetës, sigurisht duke mbajtur distancën sociale. Kanë filluar punën në vendet që janë më të domosdoshme. Kemi filluar të shohim dritë në fund të tunelit. Është komuna ajo që sjellë maskat në shtëpi për t’i detyruar qytetarët që të mos dalin nga shtëpia pa përdorim të maskave”.
“Kemi ndërgjegjësim të popullatës por dhe shtrëngim të rregullave nga ana e qeverise”.
“Kemi rënie të rasteve të reja, por ajo që neve na gëzon është që tani pjesa më e madhe e pacientëve janë duke u trajtuar në kushte shtëpie dhe jo të shtrirë në spital”.
“Kolapsi i shtetit italian ishte lufta me kohen, pra që mjekët u vënë para një numri të madh të pacientëve në kohë të menjëhershme”.
“Megjithatë ka shenja optimizmi, por duhet patur shumë kujdes sepse një gabim fatal do të na kthente në numra të frikshëm me të cilët u përballë Italia”, u shpreh doktoreshë Selenica gjatë një interviste në lidhje direkte për emisionin e mëngjesit në Klan Kosova.