“Çmendet” AKSHI, blen fotokopje 22 milion lekë copa
Ja ku jemi përsëri këtu duke parë sesi institucionet e shtetit shqiptar bëjnë rrush e kumbulla paratë tona. Keni dëgjuar ndonjëherë për AKSHI? Jo? Po? Ndoshta? Nëse përgjigjia juaj është “jo” dhe “ndoshta” atëherë ju lutem na lejoni t’ju ndriçojmë sadopak. AKSHI është AGJENCIA KOMBËTARE E SHOQËRISË SË INFORMACIONIT. Merret ndër të tjera me portalin E-Albania, nënshkrimin elektronik, vulat dixhitale etj. Për ta bërë më të qartë për publikun, e keni parasysh Lejen e Daljes? Nëse keni patur probleme teknike në marrjen e saj, e pra këta janë tipat përgjegjës.
Mesa duket AKSHI, paska nevojë të blejë pajisje elektronike si skanera, projektorë, bateri UPS, fotokopje, printera, kompjutera etj. Deri këtu nuk ka asgjë të çuditshme sepse normalisht çdo institucion ka nevojë për këto pajisje. Por në momentin që një copë fotokopje kushton mbi 22 milion lekë të vjetra, këtu fillon të mbajë erë.
Nëpërmjet procedurës se prokurimit: “Proçedurë e hapur” me Marrëveshje Kuadër –me Lote (Elektronike) me numër reference REF-55873-04-08-2020, në Lotin 4, AKSHI do të harxhojë nga taksat tona plot 29,331,088 lekë pa TVSH për blerje fotokopje, ku shumatorja e çmimeve për njësi është 1,866,941 lekë pa TVSH). Po, e lexuat mirë. Mbi 18 milionë lekë të vjetra pa TVSH kushton vetëm 1 copë fotokopje. Nëse shtojme edhe TVSH, cmimi i një copë fotokopje shkon mbi 22 milion lekë të vjetra. Vini re se bëhet fjalë vetëm për pajisje fotokopje, dhe jo për pajisje 3 në 1 fotokopje/skaner/printer.
Ndonëse ky është rasti më flagrant, çështja nuk mbaron këtu. Kështu përshembull, për bateritë UPS qe përdoren për të ushqyer kompjuterin për disa minuta në rast se ikën energjia elektrike, AKSHI kërkon t’ blejë rreth 600 mijë lekë copa pa TVSH, në një kohë që një UPS normale kushton nga 40 deri 90 euro. Kjo përmendet në Lotin 1 – Blerje UPS 1,591,160 Lekë, pa TVSH (shumatorja e çmimeve për njësi është 60,442 lekë pa TVSH.) Çmenduri apo jo?
Ndërkaq prapa nuk ngelen as skanerat, ku një copë kushton mbi 5 milion lekë të vjetra pa TVSH. Kështu sipas Lotit 2 Blerje Skanera 20,535,148 lekë pa TVSH, (shumatorja e çmimeve për njësi është 538,394 lekë pa TVSH.).
Interesant është edhe çmimi i kompjuterave, ku sipas Lotit 6 – Blerje Kompjutera 88,792,846 lekë pa TVSH, shumatorja e çmimeve për njësi është 1,564,548 lekë pa TVSH ose 1,877,457 lekë me TVSH. Pra 18 milion lekë të vjetra kushton vetëm 1 kompjuter…
Në një kohë kur si pasojë e COVID-19 shumë biznese shqiptare po shkojnë drejt falimentimit dhe shumë shqiptarë kanë mbetur pa punë, AKSHI blen 22 milionë lekë një fotokopje. Epo, gëzuar miq!