Doli me Koronavirus bashkë me djalin, këngëtarja e njohur dhuron 1 milion dollarë për urgjencat
Këngëtarja e njohur Pink, me anë të një postimi në profilin e saj të Instagramit, ka bërë të ditur se dy javë më parë ajo dhe djali i saj 3 vjeçar, Jameson, kanë shfaqur simptoma të Koronavirusit. Ata kishin rezultuar pozitiv pas testeve të bëra dhe ishin vetëizoluar.
Fatmirësisht, Pink dhe i biri janë ritestuar sërish pak ditë më parë dhe të dy kanë rezultuar negativ, pra janë shëruar nga Koronavirusi vdekjeprurës.
Këngëtarja ka kritikuar qeverinë për mungesën e testimeve në masë teksa shprehet: “Ishte një dështim absolut i qeverisë sonë për të mos ta bërë testimin më të aksesueshëm për të gjithë”.
“Kjo sëmundje është serioze dhe reale. Njerëzit duhet ta dinë se kjo sëmundje prek të rinjtë dhe të vjetrit, të shëndetshmit dhe të sëmurët, të pasurit dhe të varfërit dhe duhet ta bëjmë testimin falas për të mbrojtur familjet tona, fëmijët tanë, miqtë dhe komunitetin”, ka shtuar ajo.
Po ashtu Pink bën me dije se do të dhurojë 1 milion dollarë, 500,000 dollarë për fondin e urgjencës së Spitalit Universitar dhe gjysmën tjetër për Fondin e Krizave të Urgjencës së Kryetarit të Bashkisë së Los Angeles-it.