Filmi turk bën namin në botë, reagon i emocionuar aktori kryesor
“Mrekullia në qelinë numër 7” është filmi turk që po bën namin në botë këto ditë. Ai është renditur si një nga filmat më të ndjekur në Netflix dhe siç duket ka qenë i preferuari i publikut gjatë kësaj periudhe pandemie, kur të gjithë janë mbyllur në shtëpi.
Pas suksesit të filmit, aktori kryesor Aras Bulut Iynemli ka reaguar i emocionuar që filmi po shihet anë e mbanë botës.
“Udhëtimi i “Mrekullia në qelinë numër 7″ nisi me dashuri. Ne e donim shumë historinë tonë. Filmi ynë vazhdon të krijojë mrekulli. Po e shohin njerëz anë e mbanë botës në këto ditë të vështira. Le të mbështetemi tek njëri-tjetri me dashuri. Faleminderit për interesimin tuaj. Kujdesuni për veten”, shkruajti aktori.
Filmi flet për historinë e një babai të sëmurë mendor dhe vajzës së tij. Ai akuzohet për vrasje dhe futet në burg pa faj. Vajza e tij e vogël vihet në kërkim të fakteve që do ta shpëtonin babain e saj. Emocioni që dy aktorët përcjellin me marrëdhënien e tyre të veçantë babë e bijë, ka përlotur të gjithë ata që e kanë parë filmin.