“Çdo ditë luftojmë kundër armiqve të padukshëm”- Flasin mjekët shqiptarë në Itali: Kemi frikë, por…
Pak ditë më parë në Itali, shkuan 30 mjekë dhe infermierë shqiptarë.
“La Stampa” ka organizuar intervista me një pjesë prej tyre, ndërsa shkruan: “Mjekët shqiptarë që arritën në Brescia për të luftuar Covid-19 kanë një moshë mesatare rreth 27 vjeç, sy të mbushur me entuziazëm dhe një buzëqeshje të fshehur nën maska mbrojtëse.
“Ne jemi këtu sepse e duam Italinë”, thonë disa prej tyre, duke treguar për atë që i shtynë për të shkuar në Lombardi për të ndihmuar vendin italian. Në shtëpi ata kanë familje që i presin- shkruan gazeta- por ata janë të vetëdijshëm për misionin e tyre.
Ornela Gela
“Unë mendoj se për të gjithë shqiptarët Italia është shtëpia e dytë. Si thotë edhe Nënë Tereza, ne nuk mund të bëjmë gjëra të mëdha por mund të bëjmë gjëra të vogla me shumë dashuri”.
Doina Jano
“Gjithmonë kam dashur ta vizitoj Italinë. Fati donte që për herë të parë ta vizitoja pikërisht tani, për të ndihmuar njerëzit dhe mjekët italianë. Kjo eksperiencë do të jetë për mua edhe një përvojë profesionale”.
Alma Zelo
“Në momentin që nga Ministria e Shëndetësisë më pyetën nëse doja të isha pjesë e një ekipi mjekësh dhe infermierësh që do të vinin në Itali për të ndihmuar popullin italian, pa u menduar dy herë thashë; Po sepse ne shqiptarët e duam Italinë.”
Erxhyment Lofca
“Kur më propozuan të vija këtu m’u desh ta mendoja për pak çaste. Nuk pranova menjëherë. Pastaj ndjeva që duhej ta bëja”.
Ornela Gela
“Unë kam studiuar në Itali, kam jetuar këtu dhe mendoj se kam lidhje më të forta me Italinë se të tjerët dhe sapo ma propozuan nxitova për të ardhur. Të dy prindërit e mi janë mjek dhe nuk e kundërshtuan vendimin tim. Iu thash që do shkojë dhe se shpresoj se do të fitojmë dhe do të fitojmë. Le të shpresojmë”.
Alma Zelo
“Në fillim i thashë vetëm bashkëshortit tim dhe jo prindërve sepse kisha merak se do të shqetësoheshin dhe nuk do më linin të vija. Ata nuk e dinin derisa shkova në aeroport. Megjithatë tani kam mbështetjen e tyre. Unë pres të jap më të mirën time. Për momentin bëj teste tamponi për të zbuluar rastet me Covid-19 duke shpresuar që të rezultojnë negativ”.
Doina Jano
“Sigurisht që kemi frikë. Por ne jemi mjekë dhe kjo është detyra jonë. Çdo ditë të jetës sonë ne luftojmë kundër armiqve të padukshëm. Për ne gjithmonë është luftë. Edhe pse kam frikë dua të bëj më të mirën për popullin italian”.
Ornela Gela
“Pres të fitojë jeta, të fitojë njerëzimi dhe që Italia të shkojë përpara dhe të jetë më e bukur se më parë. Pasi të kemi fituar këtë luftë? Do pi një shishe verë. Kjo është e sigurt. Shpresojë të fitojmë sa më shpejtë të jetë e mundur”.