“15 të infektuar me koronavirus te 313-ta”, Lala: I kontaminuari i parë s’ka pasur kontakte me të dënuarit
Ministria e Shëndetësisë konfirmoi këtë të enjte 13 raste me koronavirus në burgun 313.
Mirëpo, gazetarja investigative Klodiana Lala ka thënë se janë 15 të infektuar në këtë institucion të vuajtjes së dënimit.
Lala tha 14 prej të infektuarve janë të dënuar dhe të paraburgosur, ndërsa personi tjetër, i cili sipas saj është i infektuari i parë me koronavirus është një punonjës i policisë së burgjeve, i cili rezulton se merrej me librat e shërbimit.
Sipas gazetares, polici mendohet se e ka marrë nga pjesëtarët e familjes së tij. Ai nuk hynte në ambientet e burgut 313, ndërkohë që 12 punonjësit e tjerë të policisë që kishin pasur kontakte me të kanë rezultuar negativë, por për siguri janë izoluar për 12 ditë.
Nga të burgosurit, Lala tha që i infektuari i parë ka qenë një shtetas italian. Më tej, gazetarja investigative tha se punonjësi i policisë nuk ka pasur kontakte me të burgosurit dhe nuk dihet si janë infektuar të dënuarit e tjerë apo shtetasi italian.
Ajo tha:
Janë 15 të infektuar me Covid-19. 14 janë të dënuar dhe të paraburgosur, ndërkohë që një tjetër, personi 15 dhe i pari në fakt i kontaminuar me koronavirus është një punonjës i policisë së burgjeve, i cili nga hetimi për nga ISHP rezulton se merrej me librat e shërbimit.
Polici e ka marrë nga pjesëtarët e familjes së tij, ai nuk hynte në ambjenet e burgut 313. Të 12 punonjësit e tjerë të policisë që kishin pasur kontakte me të kanë rezultuar negativë, megjithatë ata janë izoluar për 12 ditë.I dënuari i parë nga të burgosurit që është konfirmuar me Covid-19, është një shtetas italian, i cili kishte rreth 15-16 muaj që ndodhej në këtë paraburgim.
Ky person nuk ka pasur kontakte, ose ka pasur kontakte shumë të rralla me avokatët. Kur u konfirmua rasti i parë të burgosurit bënë një mini revoltë. Pasi u bënë tamponime u konfirmuan edhe 13 të tjerë të burgosur dhe nga ata që ishin në paraburgim. Këta persona janë larguar nga godina dhe janë dërguar në atë pjesë të godinës së përshtatur si regjimi i posaçëm 41 bis. Pjesa më e madhe nuk kanë simptoma shumë të dukshme, vetëm shtetasi italian ka pasur temperaturë që iu bë tampoini dhe u konfirmua me Covid-19.