Lajme Javore

Informohu i pari

Mjeku i njohur shqiptar bën thirrje/ Duhet të vaksinohen të gjithë sa më shpejt para se të fillojë dimri





Mjeku imunolog Genc Sulçebe, thotë se procesi i vaksinimit duhet të përshpejtohet, përpara se të fillojë stina e ftohtë e dimrit. Sipas tij, varianti Delta e Covid është më ngjitës se varianti fillestar Alfa.

“Nëse virusi Alfa predominonte gjatë pranverës së kaluar, kishte një indeks riprodhueshmërie rreth 4. Varianti Delta është dyfishi, pra mjaft ngjitës dhe pragu i imunitetit kolektiv të tufës nuk shkon më tek 85 përqind ose 90. Kemi akoma 20 përqind të popullatës të paimunizuar, pra duhet ta imunizojmë. Nuk duhet të presim infektimin natyral por të përshpejtojmë vaksinimin”, është shprehur mjeku.

Më tej, Genc Sulçebe ka thënë se personat që e kanë kaluar Covid duhet të vaksinohen.

“Përgjigja imunitare nuk është e njëjtë tek të gjithë njerëzit, është e ndryshueshme dhe jo të gjithë që bëjnë vaksinën do të kenë mbrojtje 100 përqind. Ishte 90 përqind me variantin Delta po zbret dhe me Pfizer që konsiderohet më e fuqishme shkon deri në 80 përqind. Kemi popullatë ndaj të cilëve vaksina mund të mos jetë mbrojtëse.

Ata që e kanë kaluar infeksionin, duhet ta bëjnë vaksinën dhe rrisin mundësinë të mos infektohen. Nëse kanë bërë vetëm vaksinën apo vetëm infeksionin shkon në 80 përqind. Për këtë arsye po aprovohet doza e tretë, sidomos ata që kanë prekshmëri më të lartë dhe sëmundje shoqëruese. Vetëm vaksinimi na ndihmon, nuk mund të presim infeksionin natyral.

Nëse e kapim këtë 20 përqindje dhe e imunizojmë me vaksinën para se të fillojë stina e ftohtë, ne nuk përjetojmë atë që përjetuam dimrin e kaluar. Kjo është strategjia që po bëhet në botë, doza e tretë nuk do të rekomandohet për të gjithë ata që janë vaksinuar, por për ata që janë të rre zikuar, që kanë sëmundje shoqëruese dhe mosha e tretë”, tha Sulçebe.